Kush eshte Jose Mourinho?
"Trajneri më i mirë i botës" - Është ajo kushtrimi konstant i Portugalisë. Ja si ka ndryshuar jeta e trajnerit të Interit
Tami rrëmbeu telefonin dhe formoi numrin e shtëpisë Robson: "Hej Elsie, jam Matilde. E ke lexuar, thonë se burrat tanë janë gei". Lady Robson filloi të qeshë, filloi edhe Tami. E bën çdo herë që mendon, çdo herë që flet me Elsie. Është mikja e vetme e vërtetë që zonja Mourinho ka zënë në botën e topit. Të tjerat, nëqoftëse ka të tilla, janë fshehur. Si ajo, Tami, që me një burrë kështu mund të kish qenë e famshme sa gratë e tjera të trajnerëve. Kurse në të vërtetë ka qëndruar prapa, në shtëpi, duke u marrë me fëmijët e një familjeje normale dhe me një jetë anormale. Ka vetëm një fotografi të tyre së bashku, ku zbresin nga një makinë në Londër përpara se të hyjnë në një restorant. Pastaj janë ato shkrepje paksa të vjedhura dhe paksa në Disneyland Paris, ku bashkëshortët Mourinho shkonin për të shoqëruar fëmijët. Pastaj asgjë. Tami nuk shihet. Është. Është në zërin e José, që sapo erdhi në Milano pati një listë propozimesh imobilare për t'u vlerësuar: "Do të vendos të marr shtëpinë që do të jetë më komode për gruan time. Duhet ta zgjedhë ajo". Në fund kanë marrë atë të industrialistit të mëndafshit Antonio Ratti, midis Como dhe Cernobbio: shikohet liqeni, ka fusha tenisi, pishina, sera dhe heliport. Është mirë për Matilde, është mirë për të gjithë. Ka rregulla jo të shkruara në jetën e José që janë të ngjashme me ato të të gjitha familjeve të tjera të botës. "Në shtëpi ime shoqe menaxhon gjithçka. Më ka thënë gjithmonë: "Jashtë nga këtu komandon ti. Brenda unë". Mou e thotë çdo herë që e pyesin për të: shprehja standard jep një titull, largon kuriozët dhe ruan Tami që me këtë botë do të ketë të bëjë sa më pak që të jetë e mundur. Sepse tani nuk është më si në Barcelonë, kur dilte në taracë në plazh dhe bënte një dorë llafe me Elsie. Në Sitges, në atë shtëpi përballë Baleari, Matilde ka ndihmuar José që të ndërtohej. "Ka qenë themelore, ka kuptuar se vitin e fundit qeshë në vështirësi, që nuk isha i kënaqur, që kisha dëshirë të ndryshoja, por që nuk kisha asnjë siguri. Një ditë e kam parë të marrë rrobat e saj dhe më ka buzëqeshur. E kish kuptuar pa më thënë asgjë se duhej të largoheshim". Ajo kishte lidhur raporte edhe me Mattas-ët, një familje që me futbollin nuk ka të bëjë fare dhe që ka qenë shumë e afërt me familjen Mourinho gjatë periudhës spanjolle. Ka lënë ata dhe ndoshta qysh atëhere nuk ka arritur më të krijojë një rrjet miqësish të qëndrueshme në vendet e punës ku i ka punuar i shoqi.
Ajo është kushtrimi konstant i Portugalisë, ku në fakt bota Mourinho ka lënë miq kudo: restaurues, shokë fëmijërie, kolegë pune, të afërm. Normalitet, pasi Setúbal është një mikrokozmos dhe brenda këtij mikrokozmosi Tami qëndron shumë mirë. Jeton e qetë kudo, por në asnjë vend si në shtëpi. Është spiranca që e kap José pas vetes, në tokën e tij, në origjinën e tij. Në Londër jetonin në Belgravia. Eaton Square, në një shtëpi të stërmadhe dhe ndoshta paksa të ekzagjeruar, me restaurime kapitelesh dorike në sallon dhe me ndonjë kolonë të tepërt në korridore. Kishin fqinj të tillë si Jeremy Irons, Sean Connery, Roman Abramovich e Roger Moore. Mou e jetonte me krenari, Tami me normalitet. Nuk do as dritat e aparateve, as telekamerat. Nuk është e lehtë, por as edhe e vështirë. Është e rezervuar, nganjëherë e ashpër, gjithmonë e vendosur. Nëqoftëse José është kështu, gruaja është e ngjashme falë Zotit, e ndryshme nga ikona e të fejuarës së futbollistit. Antipatike? Arrogante? Mendjemadhe? Askush nuk e di dhe është më mirë kështu. Tami është një mister dhe është mirë për këtë. Nuk ka dhënë kurrë një intervistë të vërtetë, as edhe pak batuta. Thotë që nuk ka asgjë për të thënë, se jeta e saj dhe ajo e të shoqit qëndrojnë me futbollin derikur ai është në fushën e stërvitjes apo në stadium, pastaj, kur kthehet në shtëpi, është ndryshe. Ndoshta e vërtetë. Ajo është shpëtimi, një port i sigurtë, një qeshje që ndryshon një ditë. José flet pak për të, sepse është ajo që dëshiron kështu: është respekti që zbulon dashurinë. Kur qe historia e bekuar e qenit që i kushtoi Mou 2 orë në qeli, ndonjë gazetar anglez kërkoi që të shkojë e të zbulojë pak më shumë nga jeta e Matilde. Një fotograf kërkoi që të hyjë duke u kamufluar si personal shopper i magazinave Harrods i ardhur në shtëpi për t'i provuar lady Mourinho rrobat e fundit. Ajo, që e kishte tashmë një personal shopper në dyqanin e Al Fayed, nuk ra në grackë: nxorri kokën jashtë shtëpisë dhe e nxorri me shqelma paparacin. Pa i kërkuar ndihmë José, bile dhe pa e përfshirë. Nuk ka nevojë Tami për një burrë që qep me gjilpërë. Do një shok. Kanë një jetë që njihen. U panë herën e parë në Setúbal, në restorantin "Caranguejus", ku babai i Tami e sillte shpesh familjen për drekë në fundjavat. Ishte një vend i çuditshëm: shkonin shumë të rritur me fëmijë adoleshentë, pastaj të mëdhenjtë largoheshin dhe lokali shndërrohej në një diskotekë pasditeje.
Atë të shtunë të 1980, José ishte aty: njohu Matilde që ishte 14 vjeç dhe vinte nga Lisbona pothuajse çdo fundjavë. Nuk janë ndarë qysh atëhere. Mourinho është transferuar në Lisbonë për të studiuar në universitet më parë dhe në ISEF më pas, kurse Tami është regjistruar në Filozofi. I kanë treguar historitë e tyre dhe nuk kanë dashur kurrë që të flisnin për fillimet e tyre. Kanë ruajtur gjithçka: kujtimin dhe batutën, provokimin, xhelozitë eventuale, adoleshenciale. Kinse, kanë thënë pak. Dihet vetëm që ai, si i ri, ishte normalisht special: i thjeshtë, jo i prirur, jo lider. Ajo e ndrojtur, fjala e vetme e lejuar dhe e verifikuar në anekdota. Nuk ka qenë nevoja të ngarkohej jeta e Tami, pasi ka qenë tashmë mjaft e ngarkuar. Ajo është portugeze për ius sanguinis dhe jo për ius soli: ka lindur në Angolë, e cila në atë kohë ishte koloni. I jati ishte një marinar, por në vitin 1961 u shtrëngua që të mobilizohet në ushtri për të ndaluar sulmin e parë indipendentist të angolanëve. U plagos dhe qëndroi në ushtri deri më 1975, kur forcat rebele filluan që të gjuajnë portugezët. Matilde dhe familja e saj u nisën për t'u kthyer në Lisbonë. "Retornados", quheshin me përbuzjen që u jepet të mundurve. Kush frekuenton familjen e Tami tani tregon zhgënjimin e babait dhe nënës së saj, të kthyer si të "përzënë" me ekuivalentin e 40 stërlinave në xhep. Sot prindërit jetojnë në Setúbal dhe herë pas here flasin. E kanë bërë me një gazetar të "Daily Mail", që fluturoi në shtëpinë e tyre disa vjet më parë në gjurmët e Mourinho: "Vajza jonë, Tami, ka studiuar shumë, ka siguruar gjithmonë bursat studimore, deri sa ka arritur të hyjë në Università Cattolica të Lisbonës, më i miri i Portugalisë, por edhe më i shtrenjti". Nuk e ka mbaruar asnjëherë dhe me këtë José ka të bëjë. Ajo e ka braktisur në vitin 1989 për t'u martuar dhe ndjekur të shoqin me ëndrrën e një stoli. Në atë kohë ai ishte vetëm një mësues edukate fizike. Ai mësues që, nëqoftëse flet për Tami, për atë periudhë dhe për atë menjëherë më pas, thotë se në fund ka qenë meritë e gruas: "Në një moment të caktuar të jetës time nuk dija se çfarë gjëje do të më ndodhte. Doja të provoja të bëhesha trajner, jo më zëvendës, por trajner i vërtetë. Vetëm se nuk kisha oferta. Ajo më ka kapur dhe më ka thënë: "Ke frikë? Hë, ke frikë? Sepse duhet ta dish se do t'ia dalësh me sukses. E di ti, e di edhe unë". Mou i ra shpatullat e mbuluara nga kjo zonjë e hajthme dhe e vendosur, e gjykuar si e "fortë" nga ai që e njeh dhe aq e zonja sa t'i rezistojë gjithçkaje që arrin të tërheqë me provokimet e tij. Nuk flet me askënd, përveçse me Louis Lourenco, biografi i vetëm i vërtetë i Mourineide-s: "Kujtoj se Tami ka shprehur mendime dhe emocione për futbollin vetëm një herë. Ka qenë menjëherë pas fitores së Champions me Porto. José ishte duke festuar me të dhe unë ndodhesha aty, isha duke u larguar, por ajo më ndaloi: 'Ku po shkon? Rri këtu, kjo është një fitore e jona".
Nuk e dinte, ose ndoshta po. Nuk kishte arritur ende asgjë, nuk kish qenë akoma Chelsea dhe e gjithë ajo që do të buronte nga kjo. Portugalia nuk do të jetë kurrë Anglia dhe Anglia do t'i dilte përpara në jetën e tij. Sigurinë Tami e ka pasur një mëngjes të vitit 2007 duke hapur "Sun": "Gruaja sekrete e José". Kishte dalë ajo, që herët a vonë do të vinte, ajo, domethënë një bionde dhe, për më tepër, zonjë shumë portugeze pak më e re se Tami. Ajo, domethënë dashnorja e Mourinho. E kërkuar dhe e gjetur nga tabloidët. E kërkuar dhe e lënë të fliste sipas qejfit: "José donte të linte gruan e tij për mua. Ma kishte thënë shumë herë. Nuk fliste asnjëherë për Matilde dhe kur fliste thoshte se do ta linte, se kish filluar tashmë procedurat e divorcit". Skenari është i përkryer: dashnorja nuk ka asgjë për të humbur dhe flet, thotë, tregon. Sigurisht që kishte ndonjë detaj që e njihte mirë: lëvizjet e José, makinën e tij, disa shpërthime të tij. Tradhtia e Tami do të mbërrinte më pas në Leiria, ku José ka trajnuar pas përvojës së Benfica dhe përpara asaj të Porto. Ka funksionuar për disa ditë: historia me seri e dashnores së Mourinho ka nxehur pasditet e Londrës thashethemexheshë. Pastaj, pse ta sulmonte Matilde? Ajo nuk flet, ajo nuk përgjigjet, ajo nuk e lë veten të tërhiqet. Atëhere çdo ditë një detaj i ndryshëm i treguar nga Elsa Sousa, një grua e re që punonte në një butik mode: "Hyri ky njeri dhe më tha se nuk kish parë ndonjëherë një grua të bukur si ty". Tregimi është plot me gjëra: që e quante "princesha ime", që si dy fëmijë mbuloheshin me përkëdhelje dhe puthje në restorant, që i kalonin mbrëmjet duke dëgjuar Phil Collins dhe Sting. Pastaj, natyrisht, seksi. "Netë të gjata pasioni, të ëmbla dhe delikate". Elsa thotë se shkonte në stadium, tribuna e nderit. Leiria lart, e 5-a në fund të sezonit, asnjëherë kaq lart në kampionat. Atëhere José tek Porto, Elsa me të. Bile, ajo i thotë "Sun" se, nëqoftëse ka shkuar tek Porto, José ia detyron asaj: ishte tifoze dhe e kishte shtyrë që të shkonte. Shtëpia e tyre do të ishte Hotel Tivoli. Në tribunë, Elsa ulej përkrah me Carolina Salgado, atëhere shoqja e Presidentit Pinto da Costa. Elsa thotë se është lënë, pasi José nuk donte t'i braktiste fëmijët dhe sepse Tami do të transferohej në Oporto, pasi ka nuhatur tradhëtinë. Gjithçka me një logjikë, gjithçka pothuajse e parë, pse nuk do të mund t'i ndodhte Mourinho? Ndoshta sepse Elsa është tradhtuar në fund të serisë së fundit të botuar nga "Sun": "Kam probleme ekonomike dhe shpresoj që dikush të botojë librin e historisë time me José". Mou dhe Tami e kanë paditur për shpifje dhe nuk mund të mos e bënin. Aq më tepër, e dinin që të dy që herët a vonë do të vinte momenti i një rrëfimi të dikujt. Është për këtë arsye që ndoshta nuk e ka dashur asnjëherë Londrën. Nuk ishte për të.
As qyteti, as klima, nëse është e vërtetë që prindërit tregojnë për një ish-vajzë tani grua, e trishtuar në ditët e hirta. "Do të qëndrojë maksimumi tri vjet në Angli, jo më shumë", tregonin shokët disa kohë më parë. Në fund, tri kanë qenë. Ajo nuk ishte e kënaqur, jo në atë botë. Rrinte shpesh në Setúbal edhe për të koordinuar aktivitetet e shoqatës së saj të bamirësisë, që çdo verë organizon grumbullime fondesh apo iniciativa solidariteti. Përfshin edhe Josè, i gatshëm çdo herë për t'u mësuar fëmijëve të varfër apo të sëmurë sekretet e topit. E bën në Setúbal, pasi ajo është shtëpia, ai është trualli. Një të afërmi, disa muaj pasi është larguar nga Londra, i rrëfeu se nuk i duron shumë gjëra të futbollit anglez. Duke filluar nga gratë e lojtarëve: mendoj se zonjushat që shoqërojnë lojtarët janë të obsesionuara nga paratë dhe nga ideja e të rënit në sy. Nuk pëlqente të shkonte nëpër festat dhe takimet mondane të lidhura me futbollin. "Tami nuk di se çfarë të flasë me ata njerëz", i tha disa vjet më parë një mike e saj portugeze një kronisti të "Mail". "Nuk i vjen të shtiret se është e gëzuar. Preferon që të jetë vetvetja dhe të mos shkojë aspak, më mirë të rrish me familjarët dhe me miqtë portugezë, me të cilët ajo dhe José kanë ndarë jetën përpara suksesit". Nuk ngatërrohet, as edhe tani, pasi Italia nuk është Anglia, Milano nuk është Londra, por veset dhe defektet ngjasin. Tami u bën me dije të gjithëve të njëjtën gjë: ajo nuk është gruaja e një futbollisti, por e një trajneri. Atëhere ndryshon: në jetë, në punë, në përditshmëri. Të shoqit në Londër, që kthehej nga stërvitjet pasdite, i kërkonte që të dilnin si një çift normal i moshës së tyre: darkë dhe pas darkës teatër apo balet.
Ka dashur që José të ishte me Matilde Junior dhe me José Junior, dy fëmijët e tyre. Mou tallet kur ia kujtojnë: "Ime shoqe është trajneri më i mirë i botës. Roli i një gruaje është themelor në jetën tonë. Është në timen, shpresoj që të jetë edhe në atë të lojtarëve. Edhe fëmijët e mi e përsërisin gjithmonë se midis mureve të shtëpisë nuk kam asnjë autoritet".
Ai dhe ajo funksionojnë. Është familja, foleja, vendstrehimi. José, cili është prioriteti në jetë? "Tami dhe fëmijët e mi". Nuk ka ambicie që qëndrojnë. Matilde është kushineta, dhoma e kompensimit. Nuk ka nevojë të flasë për të tjerët, pasi i mjafton të flasë me José dhe të lërë që ai, mediatik dhe komunikues, tregon edhe gjërat që ajo do të thotë: "Një prej privilegjeve të mëdha që më dhuron ky profesion është mundësia për të shkuar që të marr fëmijët në shkollë dhe të darkoj pothuajse gjithmonë së bashku me ta. Kjo më shpërblen radhët, në të cilat mungoj në takimet e rëndësishme, si për shembull përvjetorët, për arsye profesionale. Ime shoqe dhe unë nuk jemi dy prishanakë, paratë do t'u shkojnë fëmijëve dhe nipërve tanë". Balet apo teatër, thotë ajo. E thoshte në Londër, do ta thotë në Milano, por ama askush nuk i ka parë akoma në La Scala.